“Arsimi profesional, mekanizmi i sigurisë së të ardhmes”

14/12/2016 00:00

Arsimi profesional nuk është thjesht edukim, por një mekanizëm për të siguruar të ardhmen. Gjatë përurimit të godinës shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, ministri Klosi bëri një panoramë në shifra të regjistrimeve në arsimin pfofesional për këtë vit, duke theksuar se përmes këtyre degëve të rinjtë orientohen më mirë në tregun e punës.

“Në 2016 arritëm dhe tejkaluam kapacitetin tonë mbi 27 mijë nxënës që zgjodhën këto shkolla, disafish më shumë nga 2014 dhe dyfish nga 2015. Ta bëjmë arsimin profesional një mekanizëm për të ndryshuar ekonominë e vendit. Sot kemi 100 mijë të papunë. Është reduktuar numri i të papunëve në zyrat tona të punës. Me arsimin profesional kemi orientuar qartë në tregun e punës”, deklaroi ministri Klosi.

Si shembull suksesi për arsimin profesional, kryeministri Rama zgjodhi Gjermaninë, vendin ku të rinjtë këto degë i zgjedhin si rrugën më të sigurtë.

“Gjermania është vendi me qëndrueshmërinë më të madhe për punësimin falë sistemit të fortë i arsimit profesional. Nëse sot biznesi i vogël në Gjermani është një fuqi e madhe brenda motorit të përgjithshëm të ekonomisë, një pjesë e mirë e tyre vijnë nga arsimi profesional, nuk vijnë nga juridiku. Është një rrugë e sigurtë për këdo që beson tek puna dhe që aspiron të jetojë me punë të ndershme në një botë konkurrence ku fitojnë ata që janë më të zotë. Një zanat është aq shumë i kërkuar sa të jep mundësinë që veten tënde ta punësosh”, tha Rama.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, kërkoi nga qeveria më shumë vëmendje edhe për projekte të tjera.

“Jemi të hapur për bashkëpunim përtej politikës. Do doja që zoti Rama të vinte më shpesh në Lezhë, edhe për evenimente të tjera, sepse Lezha ka nevojë. Bëhet fjalë për rrugët që na bëjnë të kemi më shumë akses në turizëm”, tha kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.

Top Channel