Shkodër, protestë për shtëpinë, gjykata i dha pronësinë e ndërtesës një personi tjetër

14/12/2016 00:00

Rreth 20 familje që banojnë në godinat e ish-Ndërmarrjes Gjeologjike në periferi të Shkodrës protestuan paraditen e së mërkurës. Ata bllokuan rrugën duke kundërshtuar një vendim gjykate që i njeh pronësinë e godinës një tjetër personi.

Banorët prisnin që vendimi të zbatohej nga përmbarimi këtë të mërkurë.

“Personi në fjalë ka fituar gjyqin deri në Apel dhe kemi bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe s’kemi marrë asnjë përgjigje deri më sot”, tha Martin Kola, banor.

“Gjykata e Rrethit Shkodër, e korruptuar, ia njeh pronësinë personit që ka falsifikuar dokumentet komplet. Përmbaruesi na tha që do të vijnë ta bëjnë ekzekutimin e me ju nxjerr përjashta”, vijoi Ndokë Qepuri.

Pavarësisht se nuk erdhi asnjë përfaqësues i përmbarimit, rreth 100 familjarë të moshave të ndryshme mbajtën të bllokuar rrugën. Ata thonë se janë në proces legalizimi dhe se në asnjë mënyrë nuk do dalin nga shtëpitë.

“Banesat nuk do t’i lëshojmë sepse çfarë kemi pas e kemi ndërtuar këtu. Kemi punuar tre breza për t’i ndërtuar. Jemi në proces legalizimi”, tha Kola.

Në godinat e ish-Gjeologjisë që nga viti 1997 jetojnë banorë të ardhur nga zonat e thella malore të vendit.

Top Channel