Miratohet fondi i shpëtimit të bankave. Ligj edhe për fondet e investimit

14/12/2016 00:00

Projektligji i Bankës së Shqipërisë, për krijimin e fondit të posaçëm për shpëtimin e bankave në rrezik falimentimi u miratua, por opozita në Komisionin e Ekonomisë u kërkoi autoriteteve që të ngrihet baza ligjore edhe për mbulimin e fondeve të investimeve.

“Ju e dini çfarë po ndodh. Aktualisht po minimizohet roli i bankës në kredidhënie dhe po hapen instrumente të tjera të futjes në treg. Këto gjëra janë të pamonitoruara, të pambikëqyrura dhe të pambuluara”, tha ish-ministri i Financave Ridvan Bode.

“Ka një afat për këtë zoti Mete, sepse fenomeni, sipas një raporti që kam marrë nga guvernatori, nuk është për t’u neglizhuar”, tha Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

“Do ta strukturojmë bazën ligjore, për ta shtrirë këtë ndërhyrje edhe në institucione të tjera financiare”, tha Ervin Mete, zv.ministër i Financave.

Fondi i shpëtimit të bankave do të menaxhohet nga Banka e Shqipërisë dhe do të përdoret vetëm kur falimentimi i bankës së nivelit të dytë cënon stabilitetin financiar të vendit. Ai do të krijohet me kontribute të vet bankave. Gjithsesi, depozitat e qytetarëve janë të sigurara në çdo rast sipas ligjeve në fuqi.

Top Channel