Shqipërisë i mungon një sallë kinemaje ese. Një kinema pa qëllime biznesi që bën bashkë një shikues elitar dhe ka forume diskutimi me autorët pas shfaqjes së filmave vendas, por edhe filmave të tjerë autor.

Por, njëkohësisht ngrihet pikëpyetja sa e afron publikun kinematografia vendase në kinema.

Ilir Butka, drejtor i QKK-së, shprehet: “Kemi filma mediokër, të realizuar keq, me tema që nuk i interesojnë më njeriu. Mungon dashuria te filmat tanë. Por, ka edhe filma që kanë mundur të depërtojnë në festivalet e filmave më të mirë të botës. Kanë fituar edhe çmime“.

Kinemaja është edhe një pasqyrë e realitetit social. Por, sipas Butkës, një sallë kinemaje ese është një mundësi që t’i ofrojë publikut filma autor edhe të trashëgimisë së kinematografisë botërore që nuk i gjen në një sallë private.

“Franca e ka 750 milionë euro buxhetin. A ka parë ndonjë shikues shqiptar ndonjë film francez në sallat tona të kinemasë? Nuk është matës salla e kinemasë”, tregon Butka.

Por, edhe kineasti vendas do ta ketë të lehtë të realizojë shfaqjen e filmave.

“Praktikisht, ne huazojmë një sallë kinemaje duke qenë në stresin e konkurrencës me filmin e radhës së Hollivudit. Nëse do të kishim një sallë totalisht të dedikuar për filmin shqiptar, do të identifikonim lehtë edhe atë pjesë të audiencës që do të ndjekë këtë lloj filmi”, u shpreh Butka.

Butka shpreson që motos #ejanëteatër t’i shtohet edhe ajo #ejanëkinema, por për këtë duhet mbështetje në prodhim, një sallë dhe patjetër një publik, si pjesë e një zinxhiri të pandarë.

Top Channel