Rusët, nostalgjikë për sovjetizmin. Të pakënaqur nga demokracia

14/12/2016 00:00

Çerekshekulli pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik, pritshmëritë për një jetë më të mirë në Rusi dhe shtete të tjera ish-sovjetike mbeten tejet të ulëta, e njëkohësisht është ulur entuziami për demokracinë dhe tregun e hapur.

Ky është rezultati i një sondazhi të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Botërore.

Studimi tregon se, vetëm 15% e rusëve mendojnë se kanë cilësi më të mirë jetese, në krahasim me 30% sa ishin në vitin 2010, ndërsa vetëm 9% e tyre mendojnë se financat e tyre janë më të mira se më parë. Më shumë se gjysma e të anketuarve nga republikat ish-sovjetike, mes të cilëve edhe rusët, mendojnë se kthimi në një sistem më autoritar do të ishte diçka pozitive në disa rrethana.

BERZH, e cila u krijua 25 vite më parë për të investuar në vendet ish-komuniste, e kryen këtë anketë prej më shumë se 10 vitesh në 34 shtete, që nga Estonia e deri në Mongoli.

Analistët thonë se studimi tregon qartë se, vendet mund të kalojnë me sukses nga ekonomi të komanduara në sisteme me treg të hapur, nëse ky proces perceptohet nga publiku si i ndershëm dhe në përfitim të shumicës.

Nëse publiku nuk sheh përfitimet e reformave, ato nuk do të jenë të suksesshme. Sipas BERZH-it, në pjesën më të madhe të vendeve të anketuara, shumica e njerëzve duket se preferon sundimin autoritar dhe jo demokracinë.

Sipas këtij organizmi, kjo ngre pyetje shumë serioze, duke nisur nga “çfarë shkoi keq” dhe “çfarë duhet bërë tani”.

Top Channel