Politika e Kinës së vetme, Pekini shton paralajmërimet pas komenteve të Trump

14/12/2016 00:00

Pekini ka paralajmëruar sërish administratën e re amerikane se, çdo përpjekje për të ndryshuar politikën e “një Kine” do të ketë pasoja në paqen e Tajvanit. Ndërhyrjet mund të dëmtojnë gjithashtu marrëdhëniet në zhvillim mes SHBA-ve dhe Kinës, tha një zëdhënës.

Bazuar mbi politikën e një Kine të vetme, Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie formale vetëm me Kinën, e jo me ishullin e Tajvanit, të cilin Kina e konsideron një provincë separatiste. Gjithsesi, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka shprehur dyshime mbi vazhdimin e respektimit të kësaj politike.

Trump ka irrituar gjithashtu Kinën me telefonatën që ka bërë me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, e më pas me publikimin e një statusi në “Twitter” mbi këtë zhvillim.

Të hënën, Kina tha se ishte seriozisht e shqetësuar nga komentet e Trumpit, duke thënë se temat e prekura prej tij kanë një ndjeshmëri të veçantë. Por An Fengshan, një zëdhënës i Zyrës politikbërëse për Marrëdhëniet me Tajvanin, vijoi gjatë së mërkurës duke lëshuar paralajmërime për pasoja të tjera më serioze.

“Ruajtja e parimit të një Kine të vetme është baza politike e zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-SHBA, ndërkohë që është edhe themeli i paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit”, tha ai. “Nëse kjo bazë pëson ndërhyrje apo dëmtohet, atëherë zhvillimet e qëndrueshme në marrëdhëniet Kinë-SHBA do të vihen në dyshim, ndërsa paqja dhe stabiliteti në Tajvan do të ndikohet seriozisht”, shtoi ai.

Komentet e An vijnë teksa admirali Harry Harris, kreu i Komandës amerikane të Paqësorit, u angazhua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të sfidojnë “sjelljen këmbëngulëse dhe agresive” të Pekinit në detin e Kinës Jugore.

Duke folur gjatë punimeve të një “think-tank”-u australian në Institutin “Lowy” në Sidnej, Harris tha se “ne nuk do të lejojmë që fushat e përbashkëta të mbyllen njëanshmërisht, pavarësisht nga bazat e panumërta që po ndërtohen artificialisht në detin e Kinës Jugore”. “Ne do të bashkëpunojmë aty ku mundemi, e do të jemi të gatshëm të përballemi me çdo gjë që duhet të përballemi”.

Pekini ka krijuar ishuj artificialë të afta për të pritur avionë luftarakë në rajon. Ai këmbëngul gjithashtu mbi sovranitetin virtual të të gjithë zonës së detit të Kinës Jugore, të pasur me burime, pavarësisht pretendimeve rivale të fqinjëve të Azisë Juglindore. Uashingtoni ka thënë vazhdimisht se nuk i njeh këto pretendime, ndaj dhe ka dërguar anije luftarake në zonën e trazuar për të siguruar të drejtën e lundrimit.

Top Channel