Nishani dekoron Themistokli Gërmenjin

14/12/2016 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi atdhetarin dhe patriotin e shquar Themistokli Gërmenji (pas vdekjes) me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kreu i Shtetit ia dorëzoi dekoratën e lartë Kryetares së Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi, e cila në prani të autoriteteve vendore, akademikëve e studiuesve dhe trashëgimtarëve të patriotit-simbol të identitetit kombëtar, u zotua se vlerësimi dhe dekorata do të ruhet dhe do të ekspozohet në shtëpinë-muze të Themistokli Gërmenjit.
 
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani e cilësoi këtë ceremoni si shprehje të respektit ndaj një figure të shquar dhe unike të historisë së Shqipërisë: “Yll i ndritur i patriotizmit shqiptar, që edhe në fikje e sipër ndriçoi madhërishëm si një meteor i pashuar kombin e tij të vogël.”
 
“Është fjala për një figurë të shtrenjtë të panteonit tonë të heronjve kombëtarë si Themistokli Gërmenji, kujtimi i të cilit na ka mbledhur sot në këtë sallë. Emri dhe vepra e Themistokli Gërmenjit janë vlera jo vetëm të një kohe të asaj periudhe të turbullt dhe kanosëse që kaluan shqiptarët në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të XX, por ato ende vazhdojnë të rrezatojnë fuqishëm në kujtesën tonë kolektive edhe në këtë epokë të globalizmit që ka përfshirë të gjithë botën. Ato janë para së gjithash simbole të rralla të identitetit tonë shtetëror me çelësin e të cilit, paraardhësit tanë hapën derën e Pavarësisë sonë prej nga vërshoi vrullshëm vullneti i këtij populli për të ngritur shtetin e ri, si të tilla emri dhe vepra e tij nuk i përkasin aspak dhe vetëm atij qyteti të mrekullueshëm, Korçës së vyer e të shtrenjtë, për të cilën thuri ëndrrat më të bukura Ai nuk është thjesht biri i trevës së Korçës. Pikë së pari ai është djali i adhuruar i të gjithë shqiptarëve të sotëm të brezave të shkuara, të tanishme dhe të atyre që do të vijnë, për arsye se ai mendoi e veproi, punoi e luftoi për një Shqipëri të lirë e të përjetshme që do ta gëzonin të tërë banorët e krahinave dhe trevave në mbarë territoret ku flitet gjuha jonë e bukur shqipe,” tha më tej në fjalën e tij Kreu i Shtetit.

Top Channel