Holanda: Ari dhe artefaktet e Krimesë do t’i kthehen Ukrainës

14/12/2016 00:00

Një gjykatë e Amsterdamit ka vendosur se, thesaret antike të huazara një muzeumi holandez duhet t’i dorëzohen Ukrainës dhe jo muzeumeve të Krimesë, prej nga vijnë.

Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas në muajin mars të vitit 2014, ndërsa koleksionet ishin për t’u shfaqur në muzeun “Allard Pierson” të Amsterdamit. Nga Krimea, 4 muzeume kanë kërkuar rikthimin e koleksioneve, por Kievi ka ofruar argumente se gjithçka e huazuar në Holandë ishte pronë shtetërore e Ukrainës.

Gjykata vendosi se, bazuar mbi rregullat e UNESCO-s, thesaret duhet t’i kthehen mbrapsht shtetit sovran. E duke qenë se Krimea nuk është një shtet i tillë, gjykata vendosi që ta linte në duart e Ukrainës të caktonte se ku duhet të ktheheshin koleksionet.

Gjykatësit thanë se, mbetej në duart e gjykatave në Ukrainë të vendosnin se kush ishte pronari i ligjshëm i koleksionit. Ata urdhëruan qeverinë e Kievit t’i paguanin muzeut holandez 110 mijë euro për përkujdesjen e thesareve përgjatë dy viteve të fundit.

Ekspozita holandeze e titulluar “Krimea, ari dhe sekretet e Detit të Zi” u hap nga shkurti deri në maj të vitit 2014, e në të përfshiheshin copëza ari të periudhës antike kur grekët kolonizuan gadishullin. E ndërsa 4 prej muzeumeve ukrainase që huazuan këto koleksione për Amsterdamin ndodheshin në Krime, e pesta ndodhet në Kiev. Pjesë e koleksionit ishte edhe një përkrenare ceremoniale “Scythian” nga shekulli i IV para erës sonë.

Koleksioni, gjithsesi, nuk do të dërgohet menjëherë në Kiev, pasi qeverisë ruse do t’i lihen 3 muaj kohë për të apeluar kundër vendimit.

Top Channel