Gentiloni, në pritje të votëbesimit nga Senati

14/12/2016 00:00

Pas fazës së parë të votëbesimit në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit italian, ku mori 368 vota pro dhe 105 kundër, Paolo Gentiloni është drejtuar sot për në sallën e Pallatit “Madama”, së bashku me shumë prej ministrave të kabinetit të tij qeveritar, për t’iu kërkuar senatorëve votëbesimin ndaj “qeverisë së tij të përgjegjshmërisë”.

Pas verifikimit të kuorumit të të pranishmëve, mbledhja ka nisur me diskutimet mbi deklaratat e Presidentit të Këshillit, që do të flasë sërish në orën 13. Më pas do të diskutohet për votimin dhe, duke nisur nga ora 15 do të votohet.

Në sallë, së bashku me kryeministrin e ri italian ishin edhe ministrja për Administrimin Publik, Marianna Madia; ministrja e Shëndetësisë, Beatrice Lorenzin; ministri për Rajonin Jugor, Claudio De Vincenti; ministri për Infrastrukturën, Graziano Delrio; si dhe ministri i Sporteve, Luca Lotti.

Ndërkohë, vendet e opozitës ishin sërish gjysmë të braktisura, siç ndodhi edhe gjatë së martës në votëbesimin e zhvilluar në Dhomën e Deputetëve. Senatorët e “Lëvizjes 5 Yjet”, të cilët kanë lënë karriget e tyre të boshatisura dhe me një kopje të Kushtetutës italiane mbi tryezat, kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në diskutimet e përgjithshme që po zhvillohen, madje nuk do të jenë të pranishëm në sallë as për fjalimin e kryeministrit të parashikuar në orën 13 dhe as për votimin e orës 15. Do të futen, ndërkohë, vetëm për rezultatin e votëbesimit që do t’iu komunikohet nga shefja e grupit, Michela Montevecchi, e cila “debuton” sot në këtë post, duke pasuar Luigi Gaettin, për shkak të rregullave të “Lëvizjes 5 Yjet”, sipas të cilave përfaqësuesit e grupeve parlamentare janë me kohë të kufizuar.

Megjithatë, për Gentilonin kanë ardhur edhe urimet e para nga Obama, i cili ka lavdëruar impenjimin e tij për rritjen dhe punësimin. Në shkresën zyrtare, administrata amerikane thekson se “Italia është një prej aleatëve tanë më të fuqishëm dhe më të ngushtë, si dhe një partnere e domosdoshme në promovimin e idealeve demokratike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Urime për Gentilonin kanë ardhur edhe nga Vladimir Putin. Kremlini, i cituar nga agjencia e lajmeve “Interfax”, ka njoftuar se “Putin ka zbuluar se Gentiloni në Rusi njihet si një mbështetës i zhvillimit të raporteve konstruktive me përfitime reciproke mes Rusisë dhe Italisë, dhe se ka konfirmuar disponueshmërinë për një punë të përbashkët aktive në përmirësimin e marrëdhënieve komplekse dypalëshe, si dhe për të bashkërenduar përpjekjet në zgjidhjen e çështjeve të aktualitetit në axhendën europiane e globale”.

Top Channel