Filipine, Duterte pranon: Kam vrarë edhe personalisht kriminelë

14/12/2016 00:00

Nuk mjafton vetëm lufta që i ka shpallur trafikantëve dhe përdoruesve të drogës. Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte ka pranuar se ka vrarë edhe ai vet, personalisht, të kriminelë të dyshuar teksa shërbente si kryebashkiak i Davaos.

Ai drejtoi qytetin jugor filipinas për dy dekada, duke fituar reputacion për uljen e krimit, ndërkohë që mori edhe kritika për mbështetjen e pretenduar të “skuadrave të vdekjes”.

Duterte ka folur përpara udhëheqësve të biznesit në Filipine gjatë së hënës, përpara se të niste një udhëtim jashtë vendit. Kjo është edhe faza më e fundit e një serie komentesh kontroversiale e shpeshherë edhe kontradiktore të presidentit Duterte.

Në deklaratat e tij të fundit, ai tha se kishte vendosur të dilte edhe vet në patrullim përreth Davaos me një motoçikletë gjatë orëve të natës, në kërkim të sherreve që ndodhnin shpesh dhe me synimin për të vrarë të dyshuarit, për t’i treguar policisë se ata mund të përdornin edhe forcën vdekjeprurëse në të tilla raste.

Komente të ngjashme ai ka bërë edhe në vitin 2015, kur pranoi se kishte vrarë të paktën 3 meshkuj të dyshuar për pengmarrje dhe përdhunim në Davao. Megjithatë, vetëm pak orë përpara se të bënte deklaratat e fundit, ai këmbënguli se “nuk është një vrasës”, në një fjalim të mbajtur gjatë një ceremonie çmimesh në Filipine.

Afro 6.000 persona thuhet të jenë vrarë nga policia, agjentë dhe mercenarë, që kur Duterte nisi fushatën e tij të luftës ndaj lëndëve narkotike, pasi u zgjodh në muajin maj. Ai nuk shpresh aspak pendesë për këtë politikë të ndjekur, ndërsa pak kohë më parë tha se “nëse Hitleri masakroi 3 milionë hebrenj, atëherë do të jem i lumtur të vras edhe 3 milionë të varurit nga droga në vendin tim”.

Që prej marrjes së detyrës, ai ka vizituar Kamboxhan, ndërsa do të jetë në Singapor gjatë së enjtes. Duterte e ka theksuar vazhdimisht se nuk i bëhet vonë për të drejtat e njeriut, ndërsa ka paralajmëruar avokatët që mund të dalin në mbrojtje të të dyshuarve të drogës se mund të bien edhe ata prè e shënjestrave të fushatës së tij.

Top Channel