Kinë, përfundon eksperimenti i mbijetesës në hapësirë

14/12/2016 00:00

Një eksperiment 6-mujor për mbijetesën në hapësirë u mbyll të mërkurën me 4 vullnetarët që dolën nga kapsula hermetike në Shenzen të Kinës.

Vullnetarët, 3 burra dhe një grua, morën pjesë në këtë eksperiment, qëllimi i të cilit ishte të zbulonte sesi mund të përdoren e riciklohen ushqimi, uji dhe oksigjeni në kushte të kontrolluara.

Kapsula e blinduar ka një hapësirë prej 370 metrash katrorë dhe ndahet në 8 dhomëza, përfshirë ambientet e ndenjes, depon dhe një serë.

Vullnetarët kultivuan 25 lloje të ndryshme bimësh brenda kapsulës, përfshirë grurë, patate, patate të ëmbla, kikirikë, marule e lakër kineze. Bimët janë pjesë e një sistemi më të madh ekologjik, që ndihmon në riciklimin dhe rigjenerimin e oksigjenit dhe ujit, e do të reduktojë varësinë nga furnizimet e jashtme.

Jashtë kapsulës, shkencëtarët monitoruan dhe vëzhguan sesi një ambient i mbyllur ndikon te psikologjia njerëzore, ritmet biologjike e modelet e gjumit. Më shumë se 10 institute kineze e të huaja janë të përfshira në eksperiment, përfshirë Qendrën e Astronautëve në Kinë, Universitetin e Harvardit dhe Qendrën Hapësinore Gjermane.

Top Channel