Ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, nuk i ka kursyer akuzat e drejtpërdrejta për politikanët në dështimin e arrestimit të Klement Balilit, i kërkuar nga Greqia për trafik ndërkombëtar droge.

Si ka mundësi që Balili është i lirë?! Kjo ishte pyetja retorike e ambasadorit Lu, i cili ka rendituar një sërë faktesh këtu e 7 muaj më parë, që tregonin minimalisht për mosveprimin e institucioneve të policisë drejtësisë dhe prokurorisë.

“Vonesa në arrestimin e Klement Balilit, ish-zyrtar në Sarandë përfaqëson një dështim të madh të policisë dhe të sistemit të drejtësisë. Kanë kaluar 7 muaj qëkur Ministria e Drejtësisë dërgoi personel në Greqi për tërheqjen e dokumentave. Tani ata kanë 10 mijë faqe dokumentacion. Agjencitë ligjzbatuese të SHBA i kanë thënë Prokurorit të Përgjithshëm të arrestojë Balilin. Për 7 muaj kam nxitur policinë, ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm që ta arrestojnë”, deklaroi ambasadori amerikan.

Lu u ka kujtuar autoriteteve shqiptare që kushti i bashkëpunimit me Amerikën në luftën kundër drogës ishte arrestimi i “peshqve të mëdhenj”, për të cilët Lu u tregua skeptik përsa kohë nuk është arrestuar ende Balili.

“SHBA i kanë thënë Shqipërisë se bashkëpunimi ynë kundër narkotikëve në të ardhmen është i kushtëzuar nga arrestimi i peshqve të mëdhenj”, u shpreh ai.

Në të njëjtën foltore ka dhënë mesazhin e tij edhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta, i cili i kërkoi Gjykatës Kushtetuese, që pas raportit të Venecias të nxjerrë sa më shpejt vendimin për t’i hapur rrugën zbatimit të Vettingut.

“Është mjaft e rëndësishme që sa më shpejt të kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapë rrugë zbatimit të ligjit të Vettingut, sepse forcimi i zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë është garanci thelbësore për të gjitha të drejtat e njeriut”, deklaroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Top Channel