Trump takon Kanye West, refuzon zyrtarët e Inteligjencës

14/12/2016 00:00

Kulla “Trump” shtroi tapetin e kuq figurativ të martën, kur presidenti i zgjedhur mirëpriti një listë yjesh, në prag të marrjes së detyrës. Parada e emrave të mëdhenj përbëhej ndër të tjerë nga reperi Kanye West, legjendat e futbollit Jim Brown dhe Ray Lewis, si dhe miliarderi filantropist Bill Gates.

Që prej fitores në zgjedhjet e 8 nëntorit, manjati i pasurive të paluajtshme e ka kaluar pjesën më të madhe të ditëve në zyrën e tij, në katin e sipërm të kullës “Trump”, duke zhvilluar takime lidhur me tranzicionin presidencial.

Por e marta u dominua nga të ftuarit e famshëm, e kjo ka ngallur kritika kundër presidentit të zgjedhur, i cili gjeti kohën të takonte Kanye West, por refuzon vazhdimisht të marrë pjesë në takimet ditore me zyrtarë të inteligjencës.

Sipas Sean Spicer, një këshilltar i lartë i Këshillit Republikan, Trumpi po informohet lidhur me çështjet e inteligjencës 3 herë në javë, e jo çdo ditë siç duhet të jetë. Miliarderi shtyu gjithashtu një konferencë për shtyp, gjatë së cilës do të tregonte sesi do të shmangte konflite të mundshme të interesit, duke distancuar bizneset nga presidenca.

Siç mësohet, bashkëshorti i Kim Kardashian kërkoi një takim 15 minutësh me presidentin e zgjedhur, por ka qëndruar në zyrën e tij për gati një orë. Pas takimit, ata u shfaqën të dy bashkë në hollin e “Trump Tower”, ku shtrënguan duart e gati u përqafuan.

Më vonë, reperi shkruajti në “Twitter” se kishte diskutuar me Trumpin çështje shumëkulturore, nga bullizmi, modernizimi i kurrikulumeve e deri te dhuna në Chicago.

“Mendova se është e rëndësishme të zhvillosh një takim të drejtpërdrejtë me presidentin e ardhshëm, nëse kërkon vërtet të ndryshosh të ardhmen”, shkruajti ai.

Ndërsa Bill Gates lëshoi një deklaratë të shkurtër për shtyp pas takimit me udhëheqësin e ri, duke thënë se kishin folur për fuqinë e inovacionit dhe sesi kjo gjë mund të ndihmojë në shëndetësi, arsim, energjia dhe te ndikimi jashtë kufijve.

Top Channel