Brazil, përleshje në rrugë pas miratimit të planit antikrizë

14/12/2016 00:00

Skena të dhunshme përfshinë Brazilin të martën, ndërsa protestuesit dolën nëpër rrugë për të kundërshtuar miratimin në Senat të reduktimit të tavanit të shpenzimeve publike për 20 vite, si pjesë e masave antikrizë të qeverisë së Michel Temer.

Kufizimi i shkenzimeve përmes një amendamenti kushtetues ishte i paprecedentë në Brazil dhe pritet të ndiqet nga një reformë aspak popullore në sistemin e pensioneve. Aprovimi i masave antikrizë është një fitore e rëndësishme për Temer, i cili erdhi në pushtet më herët gjatë vitit, duke premtuar të nxjerrë vendin nga recesioni.

Në kryeqytetin Brazilia, protestues të maskuar i vunë zjarrin një autobusi dhe marshuan në drejtim të televizionit “Globo”, që mbështet qeverinë. Protesta pati edhe në qytete të tjera. Në Sao Paulo u sulmuan zyrat e Federatës Industriale.

Sipas opozitës, masat do të prekin fusha të tilla si shëndetësia dhe arsimi, të cilat vuanin edhe më parë nga mungesa e fondeve.

“Ne nuk mund ta lejojmë këtë gjë. Kemi dalë në rrugë sepse kundërshtojmë nëpërkëmbjen e të drejtave tona. Duam rrëzimin e Michel Temer dhe t’i japim fund vuajtjes së njerëzve në periferi”, tha një përfaqësues i opozitës.

Sipas kritikëve, masa e re që hyn në fuqi të enjten do të dëmtojë edhe më shumë shtresën më të varfër të popullsisë.

Top Channel