Shqiptarët në kërkim të Supernovës

13/12/2016 00:00

Ata janë një grup i apasionuar pas yjeve dhe galaktikës. Prej një viti Kosova ka klubin e astronomisë që njihet si “Astronomy Outreach of Kosovo”, ku mblidhen rreth 100 anëtarë për të studiuar dhe vëzhguar yjet.

Sot katër prej tyre janë vendosur në ndërtesën më të lartë të Tiranës për të parë qiellin me tre teleskope elektronikë, të dhuruar nga NASA. Pranvera, Visari, Njomëza dhe profesori i tyre Milaimi po montojnë teleskopet “Neëtonian 8”, Refraktor dhe Alfa DS.

Edhe pse sot qielli nuk ishte shumë i pastër për shkak të reve, ata kane ndërmend që të shohin disa planete të “Rrugës së Qumështit”. Që nga krijimi, klubi ka lëvizur në Kosovë, Shkup, Tirane dhe së fundmi në Australi për shkak të binjakëzimit me klubin e astronomisë në kontinentin e largët.

Këto nuk janë aktivitetet e vetme për të rinjtë, klubi ka organizuar rreth 70 vëzhgime të lira profesionale duke përdorur pajisjet optike: Teleskope dhe mjete të tjera përkatëse për vrojtim që njerëzit të njihen me trupat qiellor.

Të rinjtë zotërojnë tetë teleskope me aparatura dhe montime profesionale, kamera planetare, syze solare Meteore, atlase qiellore, revista dhe shumë e shumë pajisje të tjera shtesë të cilat janë donacione nga Astronomedhe, institucione shkencore ndërkombëtare.

Për të këmbyer eksperienca me klube të tjera në botë, anëtarët janë ftuar të vizitojnë “Shkëmbin Hënor”  që NASA e solli në Milano të Italisë, si dhe në muzeun e aviacionit “Volandia”, pa përmendur vizitën në Departamentin e Shkencave në Zyrih.

Padyshim që synimi i tyre është që të nxisin sa më shumë të rinj që të merren me studimin dhe vëzhgimin e yjeve, si shkenca më e vjetër e studiuar në tokë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel