Itali, kryeministri Gentiloni kalon testin e parë

13/12/2016 00:00

Qeveria “Gentiloni” mori votëbesimin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, ku pro saj votuan 368 nga ligjvënësit në sallë, ndërsa 105 ishin kundër. Për t’u ulur në detyrën e kryeministrit, Gentiloni duhet të fitojë votëbesimin në të dyja dhomat e Parlamentit.

Presidenti italian, Sergio Mattarella ishte ai që e caktoi ish-ministrin e Jashtëm me krijimin e ekzekutivit të ri, pasi udhëheqësi reformator Matteo Renzi humbi referendumin për reformën kushtetuese.

Paolo Gentiloni pritet të mbajë postin deri në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2018. Pas njoftimit, ai premtoi të lëvizë “brenda të njëjtës kornizë” si qeveria në largim e Renzit. Testi i radhës për Gentilonin është ai përballë Senatit, të mërkurën, ku shumica e tij pritet të jetë shumë më e vogël, kjo edhe si pasojë e vendimit të një partie që ishte në aleancë me Renzin, më herët, për të mos mbështetur administratën e re.

Udhëheqësi i ri italian e paraqiti të hënën, listën me emrat e ministrave te presidenti. Anëtari 62-vjeçar i Partisë Demokratike, një aleat i ngushtë i Renzit dhe një ish-gazetar, tha në një deklaratë të shkurtër se ka një “nevojë urgjente për një qeveri plotësisht funksionale”, në mënyrë që të përqëndrohemi te çështjet ekonomike dhe sociale.

Të gjitha partitë kryesore kanë bërë thirrje për zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur, por propozimi është refuzuar nga kreu i shtetit. Renzi ishte kryeministër për gati 3 vite. Ai dha dorëheqjen pasi votuesit kundërshtuan një paketë që rriste pushtetin e tij, për të shtyrë reforma ekonomike që ai thoshte se do të sillnin stabilitet politik në Itali.

Top Channel