Gjermani, pak “shije siriane” në tregun e Krishtlindjes

13/12/2016 00:00

Refugjatët sirianë kanë nisur të integrohen mirë në shoqërinë dhe traditën gjermane. Përkrah verës së ngrohtë me fruta dhe salçiçeve, në tregun e Krishtlindjes të qytetit të vogël bavarez Schillingsfuerst gjen edhe artikuj shumë më ekzotikë, si qoftet krokante me qiqra dhe “kibbeh”-të me bollgur e mish të shërbyera prej një familjeje siriane të shpërngulur për shkak të luftës.

Ndjenjat e armiqësisë ndaj të ardhurve janë rritur ndjeshëm në Gjermani që prej vërshimit të 890 mijë vetëve vitin e kaluar. Por pjesëmarrja e familjes Ballish në tregun tradicional gjerman të festave u mirëprit masivisht.

“Ndihem mirë këtu, por sigurisht jo si në shtëpi. Njerëzit janë të këndshëm, ama gjuha gjermane është goxha e vështirë”, tha Mayar Ballish.

Në kështjellën e stilit barok prapa tregut, motra e Mayarit, 21-vjeçarja Nawar, dhe babai i tyre Moneer ekspozuan edhe pikturat e tyre, si dhe vizatime që tregojnë vuajtjet në Siri.

“Dua që njerëzit të kuptojnë ndjenjat që kemi ne sirianët, qoftë nëse jetojmë në këtë vend e qoftë edhe gjetkë. Dua që të arrijnë të perceptojnë se çfarë kemi hequr”, tha Moneer Ballish.

Ruth Brinkmann-Seitz, një vizitore e ekspozitës tha se pikturat e kishin prekur aq shumë, sa nuk i ka mbajtur dot lotët.

“Më pëlqen që po ndodh ky lloj integrimi, pa bujë, pa fanfare, por po ndodh ashtu thjesht. Është vërtet e mrekullueshme”, tha Ruth Brinkmann-Seitz.

Dy fëmijët më të vegjël të familjes kënduan në gjermanisht këngë krishtlindjeje, ndërsa mbanin në kokë kapelet e babagjyshit të Vitit të Ri. E ëma e tyre, Shahnaz tha se ishte krenare për familjen e saj, që u tregoi vendasve se refugjatët mund të jenë shumë produktivë.

Top Channel