Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së mbështet hapjen e negociatave

13/12/2016 00:00

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian ka mbështetur rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Ashtu siç ka rekomanduar Komisioni, hapja e këtyre negociatave do të qëndrojë pezull deri në momentin kur Brukseli të shohë zbatimin në terren të reformës në drejtësi, ku theksi vihet tek Vettingu.

“Këshilli vëren pozitivisht rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet e anëtarësimit më Shqipërinë, në varësi të një përparimi të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në veçanti të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Në deklaratën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm vihet re kërkesa që i bëhet Komisionit, ku i sugjerohet që të mos presë kalendarin e zgjerimit në rastin e Shqipërisë, por t’u drejtohet vendeve anëtare sa më parë nëse vëren përparim. Kjo do të thotë se vendimi për hapjen e negociatave mund të mbërrijë jashtë kalendarit të zgjerimit të Komisionit Europian.

“Këshilli fton Komisionin të raportojë mbi Shqipërinë veç paketës së zgjerimit dhe të rimarrë në shqyrtim Shqipërinë kur të jetë kryer progresi i mjaftueshëm”, vijon deklarata.

Shqipërisë, thotë Zëri i Amerikës, i kërkohet gjithashtu që të ecë përpara edhe me pesë priortetet kyçe.

“Duke rikujtuar përfundimet e mëparshme të Këshillit, përfshirë ato të Dhjetorit 2015, Këshilli thekson se zbatimi i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës i të 5 prioritetet kyçe duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave”, thuhet në deklaratë.

Sa i takon reformës në drejtësi, ajo mbetet e bllokuar për momentin dhe në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e Vettingut, një ndër ligjet kryesore të saj.

Kushtetuesja iu drejtua Venecias për opinion në lidhje me këtë ligj, opinion që mbërriti një ditë më parë e ku Venecia thotë se nuk ka gjetur asnjë shkelje të të drejtave të njeriut. 

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së u mblodh mëngjesin e së martës. Në fillim të takimit, komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johanes Hahn, i pyetur nga gazetarët për faktin se Komisioni ka një kusht kyç, ndërsa vendet anëtare kanë më shumë se 5 dha këtë përgjigje:

“Si gjithmonë ne do të gjejmë një zgjidhje në interes të qytetarëve shqiptarë”, tha Hahn.

Mbledhja e ministrave të Jashtëm pasohet me mbledhjen e liderëve të Bashkimit Europian, ku dhe do të jepet vendimi përfundimtar lidhur me çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Top Channel