Itali, 18 vite burg për përgjegjësit e qindra emigrantëve të mbytur

13/12/2016 00:00

Në prill 2015, më shumë se 700 emigrantë humbën jetën, kur anija me të cilën ata udhëtonin drejt Italisë u mbyt përballë brigjeve libiane.

Mes 28 të mbijetuarve të vetëm ishin kapiteni i anijes dhe ndihmësi i tij, të cilët janë shpallur fajtorë nga një gjykatë në Itali.

Gjykatësit e Katanias vendosën masën me 18 vite burg për kapitetin 27-vjeçar, Mohamed Ali Malek, megjithëse atij do t’i ulet një e treta e dënimit, pasi ra dakord për gjykim të shkurtuar. Ndihmësi i tij, 25-vjeçari Mahmud Bikhit u dënua me 5 vite burg.

Gjykata vendosi gjithashtu se dy të dënuarit duhet të paguajnë një dëmshpërblim prej 10 milionë eurosh, megjithëse është mëse e qartë se asnjëri prej të dyve s’ka si ta bëjë këtë. Dënimi është cilësuar mjaft i lehtë për dy përgjegjësit e tragjedisë, pasi në një rast tjetër, Gjykata e Katanias dënoi me burgim të përjetshëm një trafikant njerëzish për mbytjen e 17 emigrantëve.

Pas tragjedisë, kur Malek dhe Bikhit ranë në duart e autoriteteve italiane, u shtirën si refugjatë, por dëshmitë e të mbijeturave të tjerë nuk i lanë shpëtim. Sipas Prokurorisë, kapiteni ishte i dehur kur po drejtonte anijen dhe, për shkak të manovrave të gabuara, e përplasi atë me një anije tregtare që kishte shkuar t’i ndihmonte.

Diçka që rezultoi fatale për qindra njerëz, trupat e të cilëve u rikuperuan vetëm një vit më vonë nga anija fatkeqe.

Top Channel