Drutë do t’i shesin bashkitë

13/12/2016 00:00

Çmimi i druve për ngrohje këtë vit është rritur ndjeshëm për shkak të moratoriumit, por edhe se firmat private të licencuara për prerjen  dhe tregtimin e tyre abuzojnë me çmimin.

Në Tiranë, çmimi për një latë dru varion nga 22oo leke në 3500 leke, ndërsa në Kukës ka shkuar deri në 4 mijë lekë.

“Është rrit këtë vit. Vjet ka qenë 20 mije lekë dhe është bërë tani 22 mijë”, thotë një shitës.

Por ky është çmimi që firmat që shesin dru publikojnë, pasi qytetarët e blejnë edhe më shtrenjtë në varësi dhe të cilësisë së drurit apo largësisë së zonës ku blihen drutë .

Për të zbatuar ligjin, por edhe për të shmangur këtë abuzim të firmave private me çmimin e druve, Ministria e Mjedisit, nëpërmjet një udhëzimi dërguar 61 bashkive në vend, u kërkon atyre të ngrenë ndërmarrje publike bashkiake për prodhimine druve dhe tregtimin e tyre dhe në mungesë të saj të mund të kontraktojnë kompani private vetëm për prerjen e druve dhe jo shitjen e tyre.

“Pas 1 janarit operatorët privatë nuk do të kenë më mundësi për të tregtuar drutë e zjarrit. Tregtimi është ekskluziviteti vetëm i bashkive që duhet të ngrenë ndërmerrjet publike bashkiake që jo vetëm do të presin, por edhe do të shesin drutë”, thotë zv.ministri i Mjedisit, Kledi Xhaxhiu.

Sipas Xhaxhiut, ligji i detyron bashkitë që çdo të ardhur që do të nxjerrin nga ky proces të përdoret e gjitha për shtimin e fondit pyjor dhe zonave të degraduara me qëllim rigjenerimine pyjeve.

Top Channel