Analiza, OSHEE ul humbjet në nivel rekord

13/12/2016 00:00

Humbjet e energjisë elektrike u reduktuan me 3 pikë përqindje këtë vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke shënuar, sipas kreut të OSHEE një rekord të ri të uljes së humbjeve.

“Si periudhë 11-mujore, janar-nëntor 2016 ne kemi shënuar nivelin 27.7 përqind të humbjeve. Për të njëjtën periudhë të vitit 2015 kemi 30.7 përqind, ndërsa po të bëjmë krahasime me vitin 2014 dhe 2013, kur shifra ishte rekord negativ, 43.5 përqind”, deklaroi kreu i OSHEE-së, Ardian Çela.

Kreu i OSHEE-së thotë se situata e përmirësuar e arkëtimeve po mundëson kryerjen e disa investimeve të rëndësishme që në 2016 kapin shifrën 10.2 miliardë lekë.

Duke u ndalur tek fenomeni i dëmtimit të aseteve të OSHEE gjatë këtyre ditëve nga kompani private, Çela tha se deri në fund të vitit do t’i propozojë Qeverisë propozime konkrete për forcimin e sanksioneve ndaj kompanive që dëmtojnë linjat e energjisë.

“Mund të përjashtohen fare nga konkurrimet publike, të kenë një garanci të konsiderueshme dhe nëse na shkaktojnë dëmtime t’u merret automatikisht kjo garanci. Këto janë propozimet tona dhe natyrisht do të vendosë Qeveria për këto”, thotë Çela.

Top Channel