Sekretari i Shtetit, Trump zgjedh mikun e Putinit

13/12/2016 00:00

Donald Trump skarton Mit Romney-n dhe zgjedh drejtorin e përgjithshëm të Exxon Mobil, Rex Tillerson si Sekretar Shteti.

Presidenti i zgjedhur i jep kështu fund spekulimeve të javëve të fundit mbi pasuesin e John Kerrit dhe pavarësisht shqetësimeve të figurave kyçe të Partisë Republikane zgjedh për këtë pozicion një njeri që ka marrëdhënie të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.

Gjërat duken të përfunduara edhe për pozicionin e Sekretarit për Energjinë, për të cilin manjati i pasurive të paluajtshme duket të ketë zgjedhur Rick Perry-n, ish-guvernator i Teksasit.

Përgjatë 40 viteve të fundit, Tillerson ka lidhur marrëveshje në të gjithë botën. Kolosi i naftës është i pranishëm në 50 vende, përfshirë Rusinë ku është në partneritet me Rosneft.

Nëse do të konfirmohet atij do t’i ngarkohet detyra të menaxhojë raportet e tensionuara mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara përfshirë sanksionet e vendosura ndaj Moskës për Ukrainën.

E megjithatë, rruga drejt konfirmimit të Tillerson nuk do të jetë pa pengesë, me rezistencën e republikanëve dhe demokratëve në Senat. Në fakt, raportet e tij me Rusinë kritikohen ashpër nga të dyja palët, veçanërisht pas rolit të supozuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale.

Top Channel