Houston s’ndalet në NBA, fitore për La Clippers e Dallas

13/12/2016 00:00

Houston nuk ndalet më në kampionatin e NBA. Skuadra teksane mposhti Brooklyn 122-118 për të regjistruar fitoren e 7 radhazi, duke konsoliduar vendin e 6 në Konferencën e Perëndimit. Edhe këtë radhë, protagonisti për Rockets u bë James Harden që e mbylli sfidën me 36 pikë, 8 topa në tabelë dhe 11 asist.

Por ndeshja më emocionuese e mbrëmjes në NBA ishte ajo e zhvilluar në “Staples Center” me Los Angeles Clippers dhe Portland e përfunduar me fitoren e kalifornianëve 121-120. Ata që morën përsipër të udhëhiqnin Clippers drejt këtij suksesi ishin Blake Griffin me 26 pikë e 12 topa në tabelë e Chris Paul me 21 pikë e 14 asist.

Denver Nuggets dështoi në Americak Airlines Center pasi u mposht nga Dallas Mavericks, skuadra më e dobët e Konferencës së Perëndimit. 112-92 ishte rezultati në favor të teksanëve që kanë një bilanc me 6 fitore e 18 humbje. Në ndeshjet e tjera, Charlotte humbi ndaj Indianës 94-110, Lakers  pësoi disfatë ndaj Sacramentos 92-116,ndërsa Miami fitoi ndaj Washington 112-101.

Top Channel