Lëvizja studentore 1990, Berisha: Ishte një lëvizje e bijve kundër etërve

12/12/2016 00:00

Duke folur për lëvizjen studentore të vitit 1990, që i dha fund edhe diktaturës komuniste, Berisha u shpreh në emisionin “Top Story” se ajo ishte një lëvizje e bijve kundër etërve.

“Në 1990 në një seri shkrimesh dhe qëndrimesh kisha paraqitur një platformë që fillonte me lirinë e mendimit, me daljen nga izolimi, luftën kundër censurës, vazhdonte me kërkesën për heqjen e nenit të Kushtetutës që bënte Partinë e Punës forcë hegjemone dhe kjo ishte kërkesa më radikale. Isha i qartë se ç’ishte pluralizmi burokratik dhe ai politik. Ramiz Alia e kuptoi këtë. Nëse me atë nen mund të krijoje 30 parti, ato mbeteshin si shoqata qeveritare pa asnjë vlerë. Unë kisha marrë një vendim shumë kohë para kësaj. Unë kisha qenë në mëngjes tek studentët dhe jam i pari bashkë me Kujtim Çashkun dhe Besnik Mustafën që sapo morëm vesh u nisëm dhe dolëm në ballë të demonstratës së studentëve që për hir të së vërtetës kishim edhe qytetarë të tjerë. Studentët u rrahën. Pasi u rrahën u shpërndanë, ajo që më impresionoi ishte që guxuan dhe dolën prapë në mëngjes, ishte lajmi më i jashtëzakonshëm. Studentët e kishin pluralizmin, por kishin një organizatë rinie. Të themi të vërtetën ajo ishte një lëvizje e bijve kundër etërve. Në universitet në 200 studentë, një mund të ishte i persekutuar. Edhe unë e kisha familjen mbështetëse të luftë çlirimtare”, thotë ai.

Top Channel