Roma mposht Milanin, kuqezinjtë i “ndëshkon” Niang

12/12/2016 00:00

Një gol nga Nainggolan i ka mjaftuar Romës për të mposhtur Milanin në “Stadio Olimpico” dhe për të ruajtur diferencën e pikëve me Juventusin e vendit të parë.

Në një pjesë të parë me një epërsi të lehtë të verdhekuqëve ishte Milani që pati mundësinë më të mirë për të shënuar, kur në minutën e 27 Lapadula fiton një 11-metërsh, por sërish si në sfidën ndaj Crotone-s ekzekutimin e merr përsipër Niang, i cili edhe këtë herë gabon përballë portierit Szczesny, që reagoi në mënyrë të shkëlqyer.

Në pjesën e dytë, vendasit e Romës ishin më kërkues dhe arritën të shënonin golin që i dha 3 pikët në minutën e 62 me belgun Nainggolan.

Në minutat në vazhdim Milani tentoi të reagonte, por nuk kishte rrezikshmërinë e duhur për të gjetur të paktën golin e barazimit dhe takimi përfundoi me fitoren e ekipit të drejtuar nga Spalleti.

Me këtë fitore Roma qëndron e vetme në vendin e dytë me 35 pikë, duke ruajtura distancën me 4 pikë nga Juventusi kryesues, ndërsa Milani tashmë vë në diskutim vendin e tretë që të çon në Champions League.

Po këtë të hënë u luajt edhe ndeshje tjetër e Serie A, Fiorentina-Sassuolo, ku vendasit arritën të fitojnë me rezultatin 2-1. Kalinic ishte njeriu i ndeshjes, duke shënuar dy gola që në pjesën e parë, ndërsa Acerbi shkurtoi diferencën 14 minuta nga fundi, por ky gol shërbeu vetëm për statistikë pasi Sassuolo nuk mundi të shënonte edhe të dytin për të marrë një pikë nga transferta e Firences.

Top Channel