Rusia, entuziaste për Tillerson

12/12/2016 00:00

Kremlini është entuziast për emrin e Rex Tillerson, që duket se është edhe pretendenti kryesor për postin e Sekretarit të shtetit në administratën e pritshme Trump, kjo për shkak të lidhjeve të ngushta me Rusinë që ka drejtori ekzekutiv i “ExxonMobil”.

“Për shkak të punës së tij si shef i një prej kompanive më të mëdha të naftës, ai ka pasur kontakte me përfaqësuesit tanë në disa raste. Ai i përmbush përgjegjësitë e tij në mënyrë shumë profesionale”, tha zëdhënësi i presidentit rus, Dimitri Peskov, para gazetarëve.

Ai tha se ka një dallim të madh mes postit të Sekretarit të shtetit dhe drejtimit të një kompanie të madhe dhe se Kremlini shpresonte për gatishmëri për të demonstruar një sjellje konstruktive dhe profesionalizëm nga Uashingtoni.

Vetë Peskov ka konfirmuar se Putin është takuar disa herë me Tillerson dhe madje presidenti rus e ka vlerësuar atë me një urdhër miqësie në 2013-ën. Edhe pse Trump nuk e ka përmendur ende emrin e Tillersonit, disa media kanë raportuar se do ta bëjë këtë ditët e ardhshme.

Tillerson dihet se ka qenë i afërt me Putin dhe shefin e Rosneft Igor Sechin, kur punonte për shfrytëzimin e naftës në rusi, bashkëpunim ky që u ndërpre kur SHBA vendosi sanksionet në 2014.

Të tre ata janë filmuar teksa ngrinin dolli me shampanjë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes “Rosneft” dhe “ExxonMobil”.

Top Channel