PD: Jo presion Gjykatës Kushtetuese

12/12/2016 00:00

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama që kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të dalë sa më shpejt me një vendim pas marrjes së opinionit të Venecias.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi e lexon si presion të kreut të Qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese kërkesën për një vendim sa më të shpejtë.

“Mos i bëj presion Gjykatës Kushtetuese. Ajo deklaratë e jotja sot, në një vend normal do të mjaftonte për të filluar procedimin penal. Gjykata do marrë vendim shpejt. Me siguri do të mbrojë Vetting-un siç e miratuam me 22 korrik dhe sa më shpejt të fillojmë ta zbatojmë dhe të korruptuarit të shkojnë prapa hekurave, gjyqtarë, prokurorë e ministra. Ti bëj vetëm një gjë: mos emëro kriminelët që ke në grupin parlamentar në komisionin ad hoc parlamentar që do të përzgjedhë komisionerët e vetting-ut. Këtë test ke përpara ti”, thuhet në deklaratën e Bylykbashit.

Sipas opozitës, Venecia ka dërguar një udhërrëfyes për Gjykatën Kushtetuese dhe jo një vendim.

“I ka treguar limitet sesi interpretohet më qartë Konventa e të Drejtave të Njeriut se Kushtetutën e dinë ata vetë. Komisioni i Venecias i ka dhënë Gjykatës rrugën që e mbron nga presioni yt dhe garanton Kushtetutën e 22 korrikut. Pyet ndonjë profesionist që ke pranë se do të të thotë të njëjtën gjë. Mos pyet ata që intrigojnë për të kapur drejtësinë apo që votojnë pa lexuar”, thuhet në deklaratë.

Top Channel