Merkel kundër Trump, reagon ndaj deklaratës për Tajvanin

12/12/2016 00:00

Shqetësimi i Pekinit ndaj politikës së një Kine të vetme duhet të përqendrohet vetëm tek presidenti i zgjedhur amerikan, pasi liderja e ekonomisë më të madhe të Europës nxitoi ta siguronte Pekinin se Gjermania nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs.

Përgjigja e Angela Merkelit kur u pyet nëse edhe ajo, ashtu si Donald Trumpi, do të ishte e gatshme të komunikonte me presidenten e Tajvanit, ishte e shkurtër dhe e qartë.

“Ne do t’i qëndrojmë politikës së një ‘Kine të vetme’ dhe nuk kemi për ta ndryshuar pozicionin tonë”, tha Merkel.

Politika në fjalë nënkupton njohjen e Pekinit si të vetmen qeveri të ligjshme dhe nëse do të ruhet ndonjë marrëdhënie me Tajvanin, ajo do të jetë e natyrës jozyrtare.

Përgjatë 11 viteve të saj si kancelare, Merkel e ka vizituar Kinën rregullisht e ka kultivuar relata të forta ekonomike me vendin komunist, të cilin e nervozoi sidoqoftë në 2007-n, kur priti liderin shpirtëror në mërgim të Tibetit, Dalai Lama-n.

Komentet e Trumpit që e ka vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e kësaj politike nga ana e Uashingtonit nëse qeveria kineze nuk ofron koncesione tregtare, e kanë shqetësuar seriozisht Pekinin.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze deklaroi se politika e një Kine të vetme është themeli i marrëdhënieve amerikano-kineze dhe i bëri thirrje republikanit të kuptojë “se sa e rëndë është kjo çështje”.

Gazeta kineze e kontrolluar nga shteti “Global Times” shkruan se po e mbështeti Trumpi pavarësinë e Tajvanit apo shitjen e armëve në ishull, atëherë Pekini nuk do të ketë arsye për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në marrëdhënie ndërkombëtare dhe do të përgjigjej duke mbështetur ushtarakisht dhe me mënyra të tjera kundërshtarët e Amerikës.

Top Channel