Berisha-Balla…edhe jashtë Komisionit

12/12/2016 00:00

Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit, përplasja Balla-Berisha u zhvendos jashtë sallës. I pari që foli për gazetarët ishte ish-Kryeministri. Ai e cilësoi pozitive dëshminë e dhënë në Komision në dy aspekte.

“Mora një vendim që të vij në këtë Komision dhe çdo fjalë të tij t’ja përplas shpifës dhe i pafytyrë sepse një njeri publik që del para qytetarëve dhe thotë pesë herë që nuk kam qenë i dënuar, minimumi duhet të dalë e t’u kërkojë falje qytetarëve”, tha ai duke akuzuar deputetin socialist.

Ndërsa për aspektin e dytë…

“Më dha mundësi për një ekspoze të gjerë të vjedhjeve të Edi Ramës. Më dha mundësinë që të kem një audiencë të pafundme për aferat e mëdha të korrupsionit të tij për CEZ, ARMO-n dhe vjedhjet e tjera të kësaj qeverie“, deklaroi ai.

Berisha mohoi se është marrë nga policia, ndërsa kritika pati edhe për kreun e Kuvendit lidhur me kërkesën dërguar për largimin e Taulant Ballës nga drejtimi i Komisionit.

“Sot kryetari i Parlamentit ka larë duart në mënyër të padrejtë dhe ka thënë që këtë vendim ta marrë komisioni. Këta kishin shumicën në Komision dhe unë e dija rezultatin e vendosa që të vij”, deklaroi ai. 

Taulant Balla e lidhi dëshminë e Sali Berishës me ardhjen e opinionit të Venecias. Ai tha se Komisioni ka proba të pakundërshtueshme që e lidhin drejtpërdrejtë, sipas tij, ish-Kryeministrin dhe ministrat e tij me vjedhjen e 419 milionë eurove nga xhepat e shqiptarëve.

Në fund, Balla foli për dy lajme të mira.

“Sot kishim dy lajme të mira. I pari që Sali Berisha erdhi dhe u përgjigj dhe tjetri, që është më i rëndësishëm se kaq, sot kemi një model sesi do të thirret Sali Berisha dhe ministrat e tij për të dëshmuar për korrupsionin gjatë qeverisjes së tij”, deklaroi ai.

Top Channel