E kanë quajtur mbretëresha e muzikës rome, por këngëtarja Esma Rexhepova njihet dhe si një humaniste e madhe. Sot vendi i saj i lindjes i dha lamtumirën e fundit.

Rexhepova ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare pas një sëmundje të shkurtër dhe të rëndë.

“Esma do të mbetet gjithmonë e vetme në llojin e saj. Ajo dha shumë për Jugosllavinë, për Maqedoninë, për ne romët. Na përfaqësoi anekënd, ajo u kthye praktikisht në një ambasadore të vendit jashtë kufijve”, u shpreh Amdi Bajrami, përfaqësues i komunitetit rom në Parlamentin maqedonas.

Rexhepova u nderua në 2013-n me titullin e “artistes kombëtare” e Republikës së Maqedonisë. Ajo adoptoi e rriti 47 fëmijë gjatë jetës së saj e ka mbajtur një sërë aktivitetesh dhe aksionesh humanitare, ndërsa pjesëmarrja vite më parë në Eurovision me një këngë të kënduar pjesërisht në gjuhën rome, u ndoq me interes të madh nga mediat ndërkombëtare.

Babai ishte rom, katolik i lindur në Shqipëri, rrëfeu ajo në një intervistë dhënë majin e këtij viti për të përditshmen turke, “Daily Sabah”.

“Njëra gjyshe ishte çifute e vinte nga Iraku, nënën e kam pasur rome myslimane. Im shoq, Stevo është maqedonas ortodoks. Me pak fjalë, në familjen time janë përzierë bashkë të gjithë besimet”. Rexhepova u kurorëzua në 1976-n në Indi “mbretëreshë e muzikës rome” e ka marrë një sërë çmimesh për luftën e saj kundër diskriminimit, përfshirë këtu edhe dy nominime për Nobelin e Paqes.

Top Channel