Rama: Venecia foli, tani të flasë sa më parë Kushtetuesja

12/12/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të veprojë sa më parë dhe t’i hapë rrugë zbatimit të ligjit të Vettingut pas mbërritjes së opinionit të Venecias.

“Opinioni i Komisionit të Venecias mbi Ligjin e Vetingut është në tryezën e Gjykatës Kushtetuese, i qartë dhe pa asnjë ekuivok! Ligji i Vetingut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës sonë dhe tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese t’i hapë rrugë një orë e më parë zbatimit të tij”, shkruan ai.

“Nuk ka më asnjë ditë për të humbur më tutje qoftë për të larguar nga pallati i drejtësisë përmes Ligjit të Vetingut, gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe qoftë për të afruar më shpejt, përmes fillimit të negociatave, Shqipërinë me Shtëpinë e Europës së Bashkuar!”, vijon ai.

Kryeministri thotë se dërgimi i kërkesës për opinion në Venecia ishte i panevojshëm.

“Askush nuk më bind dot se gjykatësit tanë kushtetues kishin vërtet nevojë për Opinionin e Venecias dhe nuk e bënin dot punën e tyre pa të! Ata kanë treguar se kur duan, dinë ta bëjnë më së miri detyrën e tyre në shërbim të Kushtetutës e të interesave të këtij vendi. Nuk u mungon as dija dhe as eksperienca!”, thotë ai.

Rama kërkon nga Kushtetuesja që të dorëzojë sa më parë vendimin për këtë ligj që hap rrugën, sipas tij, të pastrimit të pallatit të drejtësisë.

“Uroj që Gjykata Kushtetuese të mos bëhet mburojë e të shkuarës që prej çerekshekulli mban peng drejtësinë në këtë vend, po të vendoset në anën e duhur të historisë”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.

Top Channel