BE: Venecia certifikoi Vetting-un. Të respektohet opinioni

12/12/2016 00:00

Ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe delegacioni i BE-së mirëpritën përmbledhjen “Amicus Curiae” të Komisionit të Venecias lidhur me kushtetutshmërinë e ligjit të Vetting-ut dhe përputhshmërinë e tij me konventat ndërkombëtare.

“Ne presim që angazhimi i të gjitha palëve të interesuara ndaj rolit qendror të Komisionit të Venecias të vazhdojë dhe që opinioni i tij të merret në konsideratë në mënyrën e duhur”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Në reagimin zyrtar theksohet se, pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efikas.

“Ne nxisim të gjitha forcat politike, të gjitha institucionet shtetërore përkatëse dhe të gjitha organet gjyqësore në Shqipëri që të nisin pa vonesa të mëtejshme zbatimin e reformës në drejtësi. Progresi në këtë fushë është thelbësor në mënyrë që procesi i anëtarësimit në BE të ecë përpara”, përfundon deklarata.

Top Channel