Drenas, Veseli: Demokracia deshi të vinim në balotazh

12/12/2016 00:00

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë hapjes së fushatës zgjedhore për balotazhin që do të zhvillohet këtë të dielë në Komunën e Drenasit, ka theksuar se fushata e PDK-së do të kurorëzohet me fitoren e kandidatit Ramiz Lladrovci.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar të jem sot këtu me ju. Unë po e shoh edhe nga pjesëmarrja juaj kaq masive. Të gjithë jemi duke menduar se përse na u desh të votojmë për së dyti. Kjo është demokracia dhe, e bukura e saj është se edhe në Drenicë është dashur të zhvillohet raund i dytë votimesh, në mënyrë që të gëzohen kandidatët tanë politikë. Unë besoj se ata do të jenë dinjitozë më 18 dhjetor, siç kanë qenë edhe më 4 dhjetor. Ata duhet që të mendojnë sa më shumë për qytetarët e Kosovës, e në mënyrë të veçantë për qytetarët e Komunës së Drenasit, por gjithashtu të mos jenë përçarës, të mos jenë mospranues dhe jokorrektë atëherë kur atyre nuk ju pëlqen diçka”, ka thënë Veseli.

Po ashtu, Veseli ka falënderuar të gjithë qytetarët e Komunës së Drenasit, për kulturën që kanë treguar veçanërisht më 4 dhjetor, por edhe gjatë të gjithë procesit elektoral.

Ndërsa kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci ftoi të gjithë qytetarët e kësaj komune të dalin në votime dhe të votojnë atë, pasi ai do bëjë ndryshimet e duhura. Ai premtoi se do të investojë 70 milionë euro investime kapitale.

“Drenasi nuk do të jetë më i izoluar. Do të bëjmë 70 milionë euro investime kapitale. Gjithashtu do t’iu siguroj edhe ngrohje qendrore, që do lidhet drejtpërdrejt nga Ferronikeli”, ka thënë ai.

Top Channel