Siri, Palmira bie sërish në duart e Shtetit Islamik

12/12/2016 00:00

Luftëtarët e të ashtuquajturit Shtet Islamik kanë ripushtuar qytetin historik të Palmirës, pas ditësh të tëra luftimesh të ashpra dhe tërheqjes së forcave siriane.

Zyrtarë të ruajtjes së Antikiteteve në qytet konfirmuan rimarrjen e Palmirës nga IS, duke e cilësuar këtë si një katastrofë dhe humbje të shpresës.

Pushtimi i dytë u reklamua nga televizonet që mbështesin Shtetin Islamik, të cilat thanë se luftëtarët kontrollojnë tashmë të gjithë qytetin e Palmirës, dikur një oaz i “rrugës së mëndafshit” që kishte monumente antike nga më të mrekullueshmet.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili ka aktivistë në terren në Siri, konfirmoi gjithashtu rënien e Palmirës në duart e Shtetit Islamik.

Kjo është hera e dytë, që grupi xhihadist pushton qytetin antik. Majin e vitit të kaluar, xhihadistët sulmuan  dhe morën qytetin. Gjatë 9 muajve që qëndruan aty, ata shkatërruan thuasje çdo monument antik dhe muzetë e qytetit. Amfiteatri i lashtë i Palmirës u përdor nga IS për të kryer ekzekutime në masë.

Në mars të këtij viti, Palmira u çlirua nga IS, por mesa duket më kot, pasi qyteti është sërish në duart e militantëve. Analistët thonë se, Shteti Islamik priti kohën e duhur për të sulmuar, pasi ushtria siriane dhe forcat ruse janë të angazhuara në Alepo, ku janë fare pranë fitores.

Rimarrja e Palmirës është provë se, pavarësisht disfatave të shumta dhe humbjes së territorit, Shteti Islamik ka ende aftësinë që të grumbullojë trupa, të bëjë rezistencë të fortë, madje edhe të sulmojë, diçka që tregon se mposhtja e këtij grupi xhihadist është ende shumë larg.

Top Channel