Inflacioni në Venezuelë, “kaos” kartëmonedhash

12/12/2016 00:00

Qeveria e Venezuelës lajmëroi se do të tërheqë nga qarkullimi kartëmonedhën me vlerën më të madhe në vend brenda 72 orësh, për të luftuar kontrabandën dhe mafien.

Bëhet fjalë për kartëmonedhën 100 bolivar, e cila për shkak të inflacionit të lartë vlen vetëm 2 cent të dollarit amerikan, e që sipas Bankës Qendrore përbën thuajse gjysmën e kartëmonedhavë në qarkullim.

Që prej së mërkurës, venezuelianët do të kenë 10 ditë kohë për të ndërruar kartëmonedhën 100-she me monedha dhe kartëmonedha me vlerë më të lartë që do të hyjnë në treg.

Monedhat dhe kartëmonedhat e reja që do të hyjnë në qarkullim janë ato prej 500 dhe 20 mijë bolivarë, një lëvizje e qartë për të luftuar inflacionin, që sipas FMN-së do të arrijë 2.000% vitin e ardhshëm.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro tha se eliminimi i kartëmonedhave 100 bolivarëshe do të ndalojë trafikun e jashtëligjshëm, por ekspertët thonë se kjo është e pamundur në këtë mënyrë. Diçka të ngjashme bëri edhe India muajin e kaluar, duke shkaktuar kaos në popullsi dhe radhë pa fund para bankave.

Opozita në Venezuelë tha se vendimi i qeverisë tregon se ekzekutivi është i paaftë për të drejtuar vendin, pasi vetëm kështu shpjegohet eliminimi i kartëmonedhave në mes të krizës ekonomike, e sidomos në këtë kohë të vitit.

Top Channel