Shtëpia me 100 pemë Krishtlindjeje

12/12/2016 00:00

Pema e ndriçuar me drita e zbukurime shumëngjyrëshe është një element i pandarë i festave të fundvitit në shtëpitë e çdokujt. Por ka nga ata, që nuk mjaftohen me një të tillë, si për shembull një çift nga qyteti i vogël gjerman Rinteln.

Nga jashtë, shtëpia e Thomas dhe Susan Jeromin nuk ndryshon shumë nga të tjerat, me vetëm pak dekorime. Por brenda, ajo është mbushur me rreth 100 pemë Krishtlindjeje, të vendosura në një sipërfaqe prej 105 metrash katrorë.

Ato janë të zbukuruara me drita të vogla që fiken dhe ndizen, sende të tjera dhe rreth 16 mijë poça. Fillimisht, koleksioni i tyre ishte modest, por u zgjerua shumë shpejt duke i dhuruar famë çiftit gjerman.

“Gjithmonë e kam dashur Krishtlindjen, me shkëlqimin, pemën e zbukurimet. Natyrisht gjithçka nisi me një pemë normale në dhomën e ndenjes. Më pas vendosëm një pemë në korridor, një në kuzhinë dhe përgjatë 5 viteve arritëm këtu ku jemi sot”, thotë bashkëshorti.

Çiftit i duhen 8 javë për t’i dhënë shtëpisë pamjen festive. Ata nisin të vendosin zbukurimet që në fillim të tetorit, duke zënë çdo hapësirë boshe, përveç dhomës së gjumit.

“Kjo është dhoma jonë e gjumit dhe vendosëm të mos e zbukurojmë, për aq kohë sa nuk e sheh njeri. Këtu mund të qëndrojmë kur ngopemi nga festat”, tha bashkëshortja.

Por përveç dhomës së gjumit, mania ndaj Krishtlindjes është e pranishme kudo që të hedhësh sytë, madje edhe në tualet.

Top Channel