Cristiano Ronaldo, favorit për “Topin e Artë”

12/12/2016 00:00

Sot në mbrëmje do të mësohet emri i futbollistit që fiton “Topin e Artë”, trofeun më të lakmuar nga të gjithë futbollistët.

“France Football”, që tashmë ka rifituar ekskluzivitetin për dhënien e këtij çmimi pas mbylljes së bashkëpunimit me FIFA-n, ka përcaktuar tashmë 30 finalistët nga ku do të dalë edhe triumfuesi.

Ashtu siç ka ndodhur në edicionet e fundit, edhe këtë radhë ky trofe do të diskutohet mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, ndërkohë që në garë janë edhe Griezmann, Bale e Luis Suarez. Padyshim, portugezi Ronaldo konsiderohet si superfavoriti për të fituar “Topin e Artë” që do të jetë e katërta në karrierën e tij pas atyre në vitet 2008, 2013 dhe 2014.

Titujt e fituar në Ligën e Kampioneve dhe Evropianin e Francës janë faktorët që përcaktojnë triumfin e 31-vjeçarit në garën për trofeun e këtij viti. Rivali i tij Lionel Messi drejtoi Argjentinën drejt finales në Kupën e Amerikës, ku humbi ndaj Kilit. Me Barcelonën sulmuesi 29-vjeçar fitoi titullin kampion të Spanjës dhe Kupën e Mbretit. Luis Suarez është në këtë garë pasi sezonin e kaluar fitoi “Këpucën e Artë” me 40 gola të shënuar. 

Antoine Griezmann fitoi të drejtën për të qenë në këtë garë pas finaleve të arritura me Atletico Madrid dhe Francën në Ligën e Kampioneve dhe “Euro 2016”.

“France Football” e krijoi “Topin e Artë” në vitin 1956. Në vitin 2010, revista prezigjioze franceze nisi bashkëpunimin me FIFA-n, i cili u mbyll gjatë këtij viti, me “France Football” që rifitoi ekskluzivitetin e dhënies së këtij trofeu, ndërkohë që FIFA krijoi çmimin “The Best”. Edhe këtu Ronaldo është pretendent për të fituar, ndërkohë që rivalët e tij janë Messi dhe Griezmann.

Top Channel