Trump vë në dyshim politikën e një Kine

12/12/2016 09:30

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka hedhur dyshime nëse SHBA-ja do të vazhdojë me politikën e njohjes së një Kine të vetme.

Sipas kësaj politike, Uashingtoni ka lidhje zyrtare me Pekinin, por jo me ishullin e Tajvanit, të cilin Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj. Ky parim ka qenë thelbësor për marrëdhëniet amerikano-kineze për dekada me radhë. Por, në një intervistë për “Fox Neës“, Trump tha se nuk ka arsye që një politikë e tillë të vazhdojë nëse nuk do të ketë lëshime të rëndësishme nga ana e Pekinit.

“E di që SHBA ndjek politikën e një Kine të vetme, por nuk e kuptojmë pse duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë, përveçse në rastin nëse arrijmë një marrëveshje me Kinën“, tha Trump.

Presidenti i zgjedhur kujtoi gjithashtu se Kina nuk po bashkëpunonte me SHBA-në lidhur me menaxhimin e monedhës së saj, për Korenë e Veriut apo tensionet në Detin e Kinës Jugore.

Komentet e tij ngjallën reagimin e ashpër të medias shtetërore kineze. “Global Times“ parlajmëron udhëheqësin e ri përmes një editoriali se politika e një Kine të vetme nuk mund të diskutohet. Provokimi i ri i Trumpit vjen pas telefonatës që manjati i pasurive të paluajtshme zhvilloi me Presidenten tajvaneze, duke nxitur një konflikt diplomatik e një protestë zyrtare nga ana e Pekinit. Në vitin 1979, SHBA-ja shkëputi marrëdhëniet zyrtare me ishullin e vetëqeverisur, për t’i dhënë nismë një epoke të re të thellimit të marrëdhënieve me Kinën. E megjithatë, Uashingtoni vazhdoi t’i ruante marrëdhëniet jozyrtare me Tajvanin për vite me radhë.

Asnjë president amerikan nuk kishte folur në mënyrë të drejtpërdrejtë me një lider tajvanez për dekada. Por, në intervistën për “Fox Neës”, Trump tha se nuk nuk mund të diktohej nga Pekini lidhur me personat që do të kishte kontakt. Në po të njëjtën intervistë, biznesmeni i cilësoi si qesharake konstatimet e CIA-s se hakerat rusë u përpoqën të ndërhynin në zgjedhjet amerikane për të favorizuar republikanin.

Top Channel