Egjipt, sulm në kishë, dhjetëra viktima edhe në Nigeri

11/12/2016 00:00

Një shpërthim i fortë pranë katedrales koptike në kryeqytetin egjiptian të Kajros shkaktoi vdekjen e të paktën 25 personave e plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Burime të sigurisë bënë të ditur se viktimat ishin kryesisht gra e fëmijë. Shpërthimi ndodhi në një kishë të vogël brenda kompleksit ku gjendet edhe Katedralja e Shën Markut, e cila siç raportohet nuk ka pësuar dëmtime.

12 kg tritol besohet të jetë përdorur për sulmin e sipas informacioneve ende të pakonfirmuara një grua ishte parë duke fshehur një çante brenda kishës, para se të dilte prej andej.

Ndërkohë një tjetër tragjedi u shënua në një kishë të Nigerisë, ku të paktën 160 persona u vranë pas shembjes së çatisë ndërsa po luteshin.

Shumë vetë besohet të jenë ende nën rrënoja. Kisha ishte në proces ndërtimi dhe punimet u përshpejtuan për të lejuar mbajtjen e një ceremonie me rastin e zgjedhjes së themeluesit të saj si arqipeshkv.

Top Channel