Kriza e golave; Salihi: Skënderbeu kundërshtar ka veten

11/12/2016 00:00

Golashënuesi i një viti më parë në Superligën Shqiptare, Hamdi Salihi po kalon një moment jo të mirë ashtu si edhe skuadra e tij Skëndërbeu.

Mungesa e golave, madje edhe ato me 11-metërsh, duket se e kanë futur në një krizë psikologjike sulmuesin shkodran të 6 herë radhazi kampionëve të Shqipërisë.

Në një intervistë për Top Channel Hamdi Salihi shpjegon kritikat rreth këtij momenti, ndaj sulmuesit që një vit më parë ishte heroi i korçarëve.

Unë përderisa e kam marrë përsipër të gjuaj ato penallti e kam vendosur fytyrën e personalitetin përpara kësaj gjëje dje e kam ditur që po ta humbja do të shahem dhe po ta shënoja ndoshta do të ishte diçka normale. Penalltitë i humb ai që i merr përsipër t’i gjuaj. Unë kam qenë i caktuar për t’i gjuajtur dhe kam bërë detyrën time. Për momentin nuk shkon, por kjo nuk do të thotë asgjë. Ndoshta është koha ta provojë dikush tjetër”, u shpreh Salihi.

Zërat e fundit nga UEFA për rihapjen e çështjes së Skëndërbeut, Salihi i lë mënjanë duke menduar se janë gjëra që nuk i përkasin futbollistëve, megjithatë po shfrytëzohen sipas tij në një formë presioni nga kundërshtarët.

Ekipe kundërshtare mundohen në disa mënyra ta bëjnë luftën e tyre, për të marrë kreun e për të fituar titullin. Këto janë gjera normale në të gjithë botën. Një ekip profesionist dhe një lojtar profesionist duhet të dijë të dalë nga këto forma presioni dhe të luajnë rolin e tyre. Besoj se këtë ne e kemi përballuar mirë” tha Salihi.

Pas javës së 14-të Skëndërbeu ka humbur edhe kreun e Superligës për herë të parë nga fillimi, por kjo për Salihin vjen për shkak të gjendjes jo të mirë të tyre, jo nga përforcimi i kundërshtarëve.

Rivali ynë për momentin dhe kundërshtari ynë është ngërçi psikologjik ose më mirë vetvetja jonë. Po kaluam këto gjera besoj se do  e kemi shumë më të thjeshtë për të arritur te titulli”, shtoi Hamdi Salihi.

Top Channel