FA, heqje pikësh për Chelsea!

11/12/2016 00:00

Përplasja fizike mes futbollistëve të Chelsea dhe Manchester City në fundjavën e kaluar rrezikon të sjellë të tjera pasoja për ekipet e përfshira, përveç dënimeve për lojtarët në veçanti që u përfshinë në goditje të palejuara.

“Sunday Mirror” ka raportuar se skuadra londineze rrezikon të humbasë pikë në renditje në një lëvizje të paprecedent të federatës prej 26 vjetësh. Sergio Aguero dhe Fernandinho u përjashtuan nga përballja për titullin pas grindjes që përfshiu edhe stafet e dy ekipeve pretendente për kampionatin.

Gjithçka nisi nga një faull vrasës i argjentinasit në këmbët e David Luiz, që mund të kishte dëmtuar rëndë mbrojtësin brazilian.

Edhe pse City kishte një rol aktiv në trazira, Chelsea rrezikon ta pësojë më shumë pasi blutë e Londrës janë gjobitur 4 herë në 19 muajt e fundit për thyerjen e rregullave. Sipas mediave ishullore, FA po mendon deri në heqje pikësh për të krijuar një shembull që skena të tilla të mos përsëriten.

Nëse federata do të ndjekë këtë rrugë me blutë, do të jetë hera e parë në 26 vjet që një skuadër e Premier League humbet pikë. Precedenti i mëparshëm u vendos në një ndeshje mes Manchester United dhe Arsenal që degjeneroi në dhunë mes futbollistëve dhe stafit.

Top Channel