Zgjedhje të qeta në Maqedoni. Votohet për të dalë nga kriza

11/12/2016 00:00

Ditë e qetë në Shkup. Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë, në orët e para nuk kanë zgjuar kryeqytetin e vendit, pavarësisht se votimet konsiderohen si një referendum mes të shkuarës dhe të ardhmes.

Shkolla fillore që mban emrin e “Goce Delçev”, heroit maqedonas, ka pak lëvizje. Gjithçka thonë se ka nisur siç duhet dhe në procesin zgjedhor vijnë pak qytetarë që presin ndryshime.

Në mijëra qendra votimi në Maqedoni votohet në 6 zona zgjedhore dhe vetëm për partitë. Listat kanë vetëm emrat e udhëheqësve, ndërsa se kush do të jetë deputet e përcaktojnë listat e brendshme, që janë të mbyllura.

“Shpresojmë të jetë mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të ketë punë për të rinjtë dhe të mos shpërngulemi të gjithë”, thotë një votuese.

“Kemi nevojë për të zgjidhur këtë krizë politike dhe të zëmë mend”, tha një votues.

Vëzhguesit e shumtë kanë vërshuar Maqedoninë. Në organizatën “Most”, që monitoron zgjedhjet, kanë raportuar për disa incidente të fotografimit të votës. Por gjithçka është nën vëzhgim.

“Ne kemi mbi 3.000 vëzhgues dhe kemi mbuluar shumicën e qendrave të votimit. Do të ndjekim procesin në çdo vend. Vëzhguesit tanë do të jenë në këto qendra deri në përfundim të procesit, por deri më tani nuk ka pasur shumë parregullsi”, tha Teodora Pop Trajkov, organizata “Most”.

Kutitë e votimit mbyllen në orën 19:00 në tërë Maqedoninë, ndërsa rezultatet e para pritet të jepen vetëm disa orë më vonë, kur do të kuptohet nëse Maqedonia ka bërë ndryshime apo i ka besuar qeverisjes së vjetër.

Top Channel