Turqi, ditë zie për viktimat. Për sulmin akuzohen kurdët e PKK

11/12/2016 00:00

Turqia shpalli një ditë zie kombëtare dhe nisi ceremonitë mortore të viktimave të së shtunës, pas dy shpërthimeve në Stamboll që lanë 38 të vdekur dhe plagosën 155 të tjerë pranë stadiumit të Beshiktashit. Ky ishte edhe sulmi më i fundit që traumatizon një komb të përballur me kërcënime të shumta sigurie.

Bombat e mbrëmjes së të shtunës patën për objektiv oficerët e policisë, duke shkaktuar humbjen e jetëve të 30 prej tyre, së bashku me 7 civilë dhe një personi të paidentifikuar, deklaroi këtë të dielë për reporterët ministri i Brendshëm Suleyman Soylu. Ai shtoi se 13 persona janë arrestuar në lidhje me atë që quajti “sulm terrorist”.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan u angazhua për të disatën herë se Turqia do ta mposhtë terrorizmin, ndërsa kryeministri Binali Yildirim urdhëroi uljen në gjysmështizë të flamujve anembanë vendit, por edhe në misionet e jashtme të Turqisë.

“Kemi dëshmuar sërish, mbrëmjen e sotme (e shtunë) në Stamboll, fytyrën e shëmtuar të terrorit, e cila shkel mbi çdo vlerë dhe normë mirësjelljeje”, tha Erdogan.

Edhe pse nuk ka ende asnjë marrje përgjegjësie për sulmin, dy zyrtarë turq thanë se dyshimet janë fokusuar te militantët kurdë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Zv.kryeministri Numan Kurtulmus tha për televizionin “CNN Turk” se “shigjetat të drejtojnë nga PKK-ja”. Një referim i qartë ky për partinë e jashtëligjshme të kurdëve, që vijojnë kryengritjen e tyre prej disa dekadash kundër regjimit në Turqi. Ky vlerësim paraprak u pohua edhe nga ministri i Brendshëm.

Numri i viktimave mes civilëve, për fat të mirë ka qenë i ulët, pasi tifozët që ndoqën ndeshjen Beshiktash-Bursaspor sapo ishin larguar nga stadiumi i sapondërtuar “Vodafone Arena”. Soylu tha gjithashtu se 136 persona ndodhen ende të shtruar në spital pas sulmit, 14 prej të cilëve nën kujdes intensiv.

Top Channel