Dy shpërthime të fuqishme pranë stadiumit të Beshiktashit në Stamboll

10/12/2016 00:00

Të paktën dy shpërthime ndodhën pranë një stadiumi në qendër të Stambollit duke plagosur 20 persona.

Policia turke izoloi zonën rreth “Vodafone Arena”, stadiumi i Beshkiktashit. Shpërthimet ndodhën rreth dy orë pas përfundimit të ndeshjes së Beshiktashit me rivalët e Bursasporit.

Autoritetet turke konfirmuan se të paktën një prej shpërthimeve ishte një autobombë, ndërsa mediat vendase raportojnë edhe për krisma armësh. Zyrtarë turq thanë se në objektiv të sulmit me autobombë ishte një autobus i agjentëve të policisë që po largohej nga stadiumi pasi aty nuk kishte më tifozë.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Sulejman Soili deklaroi para parlamentit se të gjithë të plagosurit janë efektivë të forcave speciale që gjendeshin aty për të garantuar sigurinë e ndeshjes.

Pamjet televizive shfaqin ambulanca të shumta dhe makina policie që vërshojnë drejt vendit të ngjarjes dhe një zjarr të digjet para stadiumit.

Kohët e fundit në Turqi janë kryer një sërë sulmesh terroriste në qytetet e mëdha, të cilat kanë shkaktuar me dhjetëra viktima.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel