ISIS rikthehet me forcë në Palmira

10/12/2016 00:00

Luftëtarët e Shteti Islamik janë rikthyer në Palmira, 9 muaj pasi humbën kontrollin e qytetit të lashtë sirian në shkretëtirë.

ISIS kontrolloi Palmirën dhe ndërtesat e lashta pranë tij për 10 muaj, para se qyteti të çlirohej nga forcat e qeverisë siriane në mars. Por grupi xhihadist rinis këtë javë një ofensivë të re për Palmirën, sulm që deri tani duket i suksesshëm për ta.

Kolektiva për koordinimin e Palmirës, një grupim aktivistësh, bëri me dije se militantët e Shtetit Islamik kanë marrë kontrollin e magazinës ushtarake të qytetit dhe lagjet e tij veriore dhe perëndimore.

Më herët, ISIS kishte mundur të dëbonte ushtrinë nga disa pozicione në rrethinat e qytetit. Ofensiva e ISIS konfirmohet edhe nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit ISIS ka mbërritur në spitalin e qytetit dhe depot strategjike të grurit.

Mësohet se tashmë ISIS po lufton me ushtrinë në qendër të Palmirës. Marsin e këtij viti, ushtria siriane dëboi Shtetin Islamik nga Palmira me mbështetjen e aviacionit rus. Por tashmë Siria dhe Rusia e kanë përqendruar vëmendjen tek Alepo dhe duket se militantët pritën momentin e duhur për të goditur.

Palmira, rrënojat e lashta të së cilës u shkatërruan nga militantët, shihet si një pikë strategjike për grupin xhihadist pasi është afër fushave naftëmbajtëse. Analistët thonë se nëse qeveria dërgon sërish trupa në Palmira, do të dobësojë pozicionin e saj në Alepo dhe pikërisht atëherë kur dukej se presidenti sirian Bashar al Asad po i jepte fund një beteje, një tjetër sa po nisur për të.

Top Channel