Francë sureale, zgjedhje nën gjendje emergjence

10/12/2016 00:00

Gjendja e emergjencës e vendosur në Francë pas sulmeve terroriste në Paris duhet të zgjatet për të mbrojtur zgjedhje te vitit të ardhshëm.

Kështu deklaroi kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, i cili tha se ka kërkuar zgjatjen e gjendjes së emergjencës deri më 15 korrik të vitit të ardhshëm. Kjo periudhë mbulon zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nga prilli deri në qershor, si dhe ditën e Bastijës më 14 korrik.

Pritet që parlamenti francez ta miratojë këtë masë të martën. Kjo do të jetë zgjatja e pestë e gjendjes së emergjencës që u vendos pas sulmeve të 13 nëntorit të vitit të shkuar në Paris. Kryeministri francez Cazaneuve tha se zgjatja e radhës e gjendjes së emergjencës ishte absolutisht e nevojshme, ndërsa partitë dhe kandidatët përgatiten që të zhvillojnë mitingje që mund të shënjestrohen nga ata që duan të godasin vlerat demokratike dhe parimet republikane të Francës.

Edhe ish-kryeministri Manuel Valls, që la detyrën për të garuar në zgjedhjet Presidencaile, deklaroi më herët se ka rrezik për sulme të ngjashme me ato të Nicës, prandaj gjendja e emergjencës është e nevojshme.

Megjithë justifikimet e qeverisë, gjendja e emergjencës në Francë është kritikuar si e pamandatuar dhe një shkelje e të drejtave të njeriut. Me marrjen e fuqive të reja që parashikon kjo situatë, autoritetet franceze kanë kontrolluar 3 000 shtëpi dhe kanë arrestuar mbi 400 njerëz.

Top Channel