Lufta ndaj drogës, presidenti i Kolumbisë: Duhet qasje e re

10/12/2016 00:00

Presidenti i Kolumbisë, Huan Manuel Santos përdori fjalimin e tij gjatë marrjes së çmimit Nobel për paqen për t’i bërë thirrje botës që të rimendojë luftën ndaj drogës.

Ai tha se toleranca zero mund të jetë edhe më e dëmshme në këtë kuadër se sa të gjitha luftërat që po zhvillohen në botë. Santos tha se duhet ndryshuar strategjia në luftën ndaj drogës dhe se Kolumbia ka paguar çmimin më të lartë në viktima dhe sakrifica për të.

Termi lufta ndaj drogës u krijua nga presidenti amerikan Richard Nixon më shumë se katër dekada më parë dhe i referohet përpjekjeve amerikane për të ndaluar prodhimin e  drogës në burim.

“Ne kemi autoritetin moral që të themi se pas dekadash lufte ndaj trafikut të drogës, bota ende nuk është në gjendje të kontrollojë këtë epidemi që nxit dhunë dhe korrupsion në komunitetin global. Nuk ka kuptim të burgosësh fshatarin që kultivon marijuanë, ndërkohë që kultivimi dhe përdorimi i saj janë të ligjshme në 8 shtete amerikane”, tha Santos.

Analistët mendojnë se pas arritjes së marrëveshjes për paqe me rebelët e FARC, tashmë Santos i ka hedhur sytë nga sfida tjetër e madhe e Kolumbisë dhe kërkon një qasje të re ndaj luftës kundër trafikut të drogës, nga e cila ky vend ka vuajtur mbase më shumë se kushdo tjetër në botë. 

Top Channel