Berisha i pandalshëm në Australi, shënon 3 gola

10/12/2016 00:00

Besart Berisha vazhdon të tregojë aftësitë e tij të shkëlqyera në kampionatin australian të futbollit. Sulmuesi shqiptar realizoi 3 gola në fitoren e pastër 3-0 të skuadrës së tij Melbourne Victory në transfertën e Western Sydney Wanderers.

Rrjeta e parë erdhi në minutën e 32 kur në limitet e pozicionit jashtë loje, ndoqi aksionin duke përfituar nga grushtimi i portierit kundërshtar për të kaluar skuadrën e tij në avantazh. Melbourne nuk e uli ritmin dhe në të 66-ën pas një harkimi nga e djathta e sulmit, Berisha dogji në kohë kundërshtarin duke realizuar me kokë golin e dytë të ndeshjes. Gjithsesi, 31-vjeçari i lindur në Prishtinë nuk u kënaq me kaq pasi në të 82-ën u shkëput fuqishëm duke lënë pas në sprint mbrojtësit kundërshtarë për të shënuar edhe golin e tretë.

Tre golat e shënuar në transfertën e Sydney e ngjisin bomberin e lindur në Prishtinë në vendin e parë të golashënuesve ne Australi.

Deri në këtë pikë të sezonit ai ka shënuar 8 gola, 1 më shumë se uruguajani i Melbourne City, Fornaroli.

Top Channel