Motoja politike e fushatës është Maqedonia do ta zgjidh krizën politike me votat e qytetarëve. Verifikimi i anës së drejt, megjithatë ka kthyer maqedoninë në një referendum politik. Pretendimet mbi shumë variante të së drejtës ka sjellë ballafaqime të reja dhe thellim të dallimeve politike.

Maqedonasit kanë dy mundësi. Të dyja në retorikë politike janë proevropiane. Njëra me pushtetin që beson ka punuar drejt dhe se aferat korruptive e situatat e rrejshme politike janë një trillim i opozitës. E dyta me opozitën që akuzon edhe për ngecjen e Maqedonisë mbi dhjetë vjet.

Analisti Petar Arsovski, beson se reagimi i opozitës dhe shoqërisë ndaj bombave të Zaev nuk ka qenë i fuqishëm pavarësisht se protestat ishin intensive mbi 70 ditë. Rezultat i kësaj është fushata.
 
“Është e qartë që shoqëria në Maqedoni nuk është e gatshme për ndryshime pasi këto reagime nuk mjaftonin. Mendoj se zgjidhje nuk do të ketë për këtë krizë, por do të futemi në një krizë të re pas zgjedhjeve dhe kjo do të vazhdoj derisa të gjithë të mos ta kuptojnë se vërtetë është koha për ndryshime”, thotë Arsovski.

Shqiptarët u ndanë në pesë lista. Mund të humbin deputet, por kjo kësaj radhe i dha fuqi fushatës.

Lirim Dullovi, i gazetës “Koha” të Shkupit, beson se megjithatë kjo mund të ketë një rezultat pozitiv.

“Pas zgjedhjeve shqiptarët do të dalin të unifikuar ose më mirë të themi fitues. Ajo që i bashkon këto pesë lista është një agjendë e njëjtë që e përfaqëson çdo parti shqiptare, apo çdo koalicion. Ato janë çështje që kanë të bëjnë me gjuhën, marrëveshjen e Ohrit, buxhetit. Do të thotë të gjitha partitë shqiptarë kanë thuajse një platformë”, thotë Lirim Dullovi, Drejtor i “Koha”.

Shumë flasin për një rezultat shumë të barabart në mes të faktorëve maqedonas. Rezultati i zgjedhjeve mund të jetë pakënaqësi e re. Lufta për pushtet mund të sjellë sërish një koalicion mes katër partish për t’ia besuar kohës ndryshimet.

Top Channel