Dopingu në sportin rus, do ekzaminohen sërish testet

10/12/2016 00:00

Sportistët rusë që garuan në Lojërat Olimpike të Londrës në 2012 do t’u nënshtrohen testeve të reja antidoping.

Ai që e konfirmoi lajmi ishte vetë presidenti i komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach menjëherë pas publikimit të raportit të Richard McLaren sipas të cilit, mbi 1000 sportistë rusë ishin të përfshirë në sistemin e dopingut i mbuluar nga autoritetet shtetërore në Rusi.

‘Raporti i McLaren tregoi sulmin që i është bërë integritetit të sportit-tha Bach-për mendimin tim çdo sportist që ka qenë i përfshirë në këtë sistem të sofistikuar manipulimi duhet përjashtuar përjetë nga të gjitha eventet olimpike. Në bashkëpunim me McLaren, IOC do të ekzaminojë edhe njëherë testet e sportistëve rusë që morën pjesë në Lojërat Olimpike të Londrës si dhe në Lojërat Dimërore të Sochit’.

Raporti i publikuar nga profesor Richard McLaren flet për një sistem të sofistikuar të mbulimit të dopingut të sportistëve ruse nga ana e autoriteteve shtetëtore. Gjithnjë sipas këtij raporti në këtë sistem manipulimi janë të përfshirë 30 disiplina sportive, mes të cilave edhe futbolli.

Top Channel